Ali Met Isniqi
KINO TEATRI JUSUF GËRVALLA – PEJË.
E SHTUNË 22 MARS, ORA 15.00.
Kânga e Sulltan Muratit apo Hunda e Plakës, siç e quajtëm ne, është marrë nga libri KÂNG T’EGRA – KÂNG T’BUTA të Nicola Scaldaferri-t dhe Zymer U. Nezirit (Harvard Press University 2021).
Ali Met Isniqi, rapsodi i madh i Dukagjinit e ka kënduar këtë këngë me 23 shtator 1937 në Kolgecaj, Tropojë. Dëgjues ishte Albert Lordi, një nga personazhet e Dosjes H të Kadaresë, mbledhësi më këmbëngulës i letërsisë epike në botë. Kaq shumë kjo kâng i mbeti tanë jetën në mend, saqë e cilësoi pak para vdekjes si një nga kryeveprat e letërsisë gojore botërore.
Vajzat e reja isniqase i japin frymë në një formë të re teatrore. Mirësevini!
Ky projekt u mundësua me ndihmën e pakushtëzueshme të Michael Lessac nga Global Arts Corps dhe Strallit. Falenderim i përzemërt për Aurela Kadriun, Shaban Mehmetaj dhe të gjithë punonjësve të Shkollës Isa Boletini në Isniq. Faleminderit edhe Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve të Republikës së Kosovës për mbështetjen, si dhe Kino Teatrit Jusuf Gërvalla në Pejë për mikpritjen!

————————————————————————————————
Alexander Kluge: retrospektivë
“Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur”
KINO ARMATA – 6.2. – 8.2.25 – Prishtinë

“Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur” është retrospektiva e parë e veprës së Alexander Kluges në Kosovë. Ajo e fton publikun tonë të njihet me krijimtarinë kryesore të kineastit, filozofit, producentit televiziv, autorit dhe intelektualit më me ndikim sot në Gjermani. Në bashkëpunim me Goethe-Zentrum në Prishtinë dhe Kino Armata, kjo retrospektivë ofron një perspektivë unike, ku mund të shtjellohen tema, si ajo e kujtesës, identitetit kolektiv, narrativat mbi ballafaqimin me të kaluarën, si dhe aspekte tjera transformuese që e karakterizojnë këtë lloj kinemaje.
Ithtari i Shkollës së Frankfurtit, Kluge prej kohësh cilësohet figurë qendrore në kinemanë, letërsinë dhe teorinë e medias gjermane. Si pionier i valës Filmi i Ri Gjerman, filmat e tij sfidojnë strukturat tradicionale narrative, duke ndërthurur trilerin, dokumentarin dhe filmin eksperimental. Trajtimet inovative të Kluges lëvrojnë tema mbi historinë, sferën publike dhe kontra-publike, duke shtjelluar e vendosur paralele përvojash kolektive dhe personale. Veprat e tij karakterizohen nga një mendësi interdisiplinore, që mjegullojnë kufijtë mes zhanreve dhe formave e mjeteve te tjera të shprehshmërisë kulturore. Kluge përdor elemente filmike për të ndriçuar marrëdhëniet komplekse në shoqëri dhe të përvojave individuale. Ai shkon përtej përfaqësimeve të thjeshta dhe sfidon shikuesin të reflektojë në mënyrë kritike mbi realitetin.
Në qendër të retrospektives është edhe koncepti i autorit mbi “kontra-publikat”, që i shtjellon kryesisht në filma, por edhe në platformën televizive, të ashtuquajturën DCTP (Development Company for Television Program), platformë kjo e pavarur mbi perspektivat alternative televizive dhe karakterin kritik. DCTP u angazhua si kundër-përgjigje ndaj monopolit të diskursit publik, duke i ofruar hapësirë zërave të rinj krijues, si dhe formave narrative të margjinalizuara në përgjithësi. Një peizazh i tillë mediatik ka evoluar edhe në pasluftën e Kosovës. Prandaj njohja e Kluges mbi kontra-publikat ofron njohuri të rëndësishme për nxitjen e formave pluraliste dhe alternative në komunikim.
Retrospektiva paraqetnjë përzgjedhje të kujdesshme të filmave. Aty përfshihen: Lamtumirë ngjarjeve të djeshme (“Abschied von gestern”, 1966), një vepër e rëndësishme, që kritikon normat shoqërore dhe merr për bazë temën e tjetërsimit në Gjermaninë e pasluftës. Filmin Artistët nën çatinë e cirkut: të përhumbur(“Die Artisten in der Zirkuskuppel: Ratlos”, 1968), që u shpërblye me Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venedikut për qasjen e thellë dhe rolin e artit në shoqëri.
Krahas projektimit të filmave, retrospektiva përfshin edhe ligjërata, workshope dhe panele dikutimi. Studiues, artistë dhe krijues nga fusha të ndryshme të kulturës, do të shpalosin pikëpamjet dhe përvojat e tyre lidhur me krijimtarinë e Kluges në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për të formësuar ligjërimin publik dhe narrativën e vet kulturore. Nata e hapjes do të përmbajë ligjëratën qendrore të Prof. Dr. Rainer Stollmann, me temën “Sferat publike dhe kontra-publike pas krizave”. Në kuadër të teorisë së Kluges, ai do inkorporojë disa aspekte që ndërlidhen me ngjarje të caktuara edhe çështjet e Kosovës. Në diskutim përmes platformës zoom/online do të përfshihet edhe artisti Alexander Kluge.
Meqë Kosova shënon 25 vjetorin e përfundimit të luftës, kjo retrospektivë shërben si urë lidhëse në mes të kaluarës dhe së tashmes së saj, duke ftuar audiencën të rimendojë mundësitë mbi diskursin publik, kreativitetin kulturor dhe këmbimin e njohjes së ndërsjelltë. Përmes trashëgimisë vizionare të Klugës, audienca vendore do të përfshihet në një komunikim mbi artit, kulturën e medias, dhe ballafaqimit me sfidat e historisë.
Retrospektiva realizoht si bashkëpunim i organizatës Stralli, Goethe Zentrum – Prishtina, Kino Armata dhe DAAD-Kosovo.
PROGRAMI DCTP/KINOMATOGRAFIK:
“Lamtumirë ngjarjeve të djeshme”
RFGJ, 1966, 88min
“Fajin e kemi vetë për gjithçka, sikur të dinim kaq,
parajsë do ishte kjo botë”.
Lamtumirë ngjarjeve të djeshme (“Abschied von Gestern “, 1966) konsiderohet gurthemeli i kinematografisë së Filmit të Ri Gjerman. Është një prej filmave debutues që bëri bujë, dhe që i solli famën autorit. Ky film poetik dhe me peshë politike shpalosë rrëfimin e Anita G. (Alexandra Kluge, e motra e autorit ), një vajze të re nga Gjermania Lindore, e cila zhytet në përditshmërinë e Gjermanisë Perëndimore, në përpjekje për t’u arratisur nga e kaluara. Përmes stilit dhe mënyrës së rrëfimit të fragmentuar, Kluge kritikon shoqërinë gjermane të pasluftës, duke shtjelluar temat, si ajo e tjetërsimit, burokracisë dhe identitetit – të ndërthura me elemente të reja shprehëse trileri dhe ato të filmit dokumentar. Filmi u shpërblye me Luanin e Argjendtë në Festivalin e Filmit në Venedik (1966).
„Artistët nën çatinë e cirkut: të përhumburit“ („Artists under the Big Top: Perplexed“) RFGJ, kohëzgjatja: 104min
“Pas luftërave botërore, tash u lodha së stërvituri kafshë sa për spektakël.”
Artistët nën çatinë e cirkut: të përhumbur (1968) rrëfen përpjekjet e Leni Peikkert (Hannelore Hoger), një sipërmarrëse që synon ta rrisë cilësinë artistike në një hapësirë krejt të re cirku. Si prioritet, ka lojën e natyrshme të kafshëve, si alternativë që të mund ta reformonte edhe cirkun. Por, këto ideale e çojnë kompaninë në falimentim. Rrëfimet eksperimentale të Kluges, të kombinuara me elemente të dokumentarit dhe fiksionit, eksplorojnë tema si: dështimi artistik, kufizimet shoqërore dhe lufta për inovacion brenda botës konformiste. Filmi u shpërblye me Luanin e Artë në Festivalin e Filmit të Venedikut (1968).
“Patriotja” RFGJ, 1979, 121 min, Feature Film
“Gabi Teichert është gati përherë konfuze.
Sepse gjithçka është kontekst”
Në filmin Patriotja (“Die Patriotin”, 1979) Gabi Teichert (Hannelore Hoger) i hyn aventurës sëgjurmmimi të rrënjëve të historisë gjermane. Si arsimtare e historisë, Gabi Teichert është ithtare e edukimit dhe përparimit. Ajo hulumton mbi tensionet ndërmjet autonomisë individuale, inercisë shoqërore dhe angazhimit, për të arritur drejt një vendi dhe politike të bazuar në iluminizëm (emancipim) dhe llogaridhënie. Me filmin Patriotja, Alexander Kluge kritikon marrëdhëniet e shtetit gjerman me historinë e vet, duke parë si të domosdoshme aspektin kritik, mirëkuptimin dhe kërkimin për të parandaluar përsëritjen e gabimeve të së shkuarës.
Lufta dhe paqja (Krieg und Frieden) RFGJ
Dokumentar/Film eseistik, 1982, 123min
“Asgjë nuk të shkurajon aq sa mos jesh në gjendje ta kuptosh lojën prej së cilës varet jeta jote.”
„Herë pas here, lufta ëndërron për idenë e saj absolute.“
Më 1945-ën, nëse lufta në Evropë do të përfundonte në gusht, e jo në maj, bomba atomike fare mirë mund të ishte lëshuar në Berlin në vend të Hiroshimës. Rrethana të ngjashme mund të përsëriteshin gjatë krizës së armatimit raketor nga Lufta e Ftohtë e viteve 1980, ku Gjermania rrezikohej nga shkatërrimi i shpërthimeve nukleare. Ky film trajton iluzionin se rreziku ndaj luftës konsiderohet si kapitull i përmbyllur, por ja që ato na kujtojnë se konfliktet e pazgjidhura historike mund të rikthehen në çdo çast. Alexander Kluge bën apel për ndërgjegjësim kritik, veprim kolektiv dhe solidaritet përballë padrejtësive globale dhe pasojave të krizave politike.
Mësymja e së tashmes ndaj kohës së ngelur”
(Der Angriff der Gegenwart auf die Übrige Zeit)
RFGJ, 1985, kohëzgjatja: 97 min
Feature Film
“Në kokë ai kishte lloj-lloj imazhesh.”
A mund ta kategorizojmë shekullin 20-të në të ashtuquajturin plan katërvjeçar? Qysh ndërthuren tregu i mbeturinave recikluese me kulturën? Çfarë ndikimi kanë realisht masë-mediat? Një mjeke e re ka ndjesinë se është pothuajse e padobishme. Një familje rri përballë një kompjuteri, ngjashëm sikur të mblidheshin përreth vatrës. Dikush ka ngut. Njerëzit ndajnë rrugët mes veti. Me filmin Mësymja e së tashmes ndaj kohës në vijim, Kluge eksploron marrëdhënien ndërmjet kohës, modernitetit dhe ekzistencës njerëzore. Filmi kritikon mënyrën sesi shoqëria bashkëkohore, e shtyrë nga teknologjia, media dhe presionet ekonomike, çrregullojnë ritmet dhe vlerat tradicionale, që e shpien atë drejt një lloj perceptimi të fragmentuar të jetësor.
Lajme të përziera
(Vermischte Nachrichten)
RFGJ, 1986, 101 min
Feature Film
“Në brigjet e Nilit, panoramat na janë shpërndarë.”
Filmi është frymëzuar nga rubrika “lajme të mikse” të gazetave tradicionale, ku mbikëqyrja editoriale ishte fare e lirë. Rubrika të tilla shpeshherë përmbanin një larmishmëri të çuditshme lajmesh, që pasqyronin pamje unike e të fragmentuar të realitetit, herë shpërfillëse – anashkaluese, sa edhe të papërpunuara mirë. Filmi shpalosë pamje të ngjarjeve të pafiltruara – një lloj kaleidoskopi të absurditeteve dhe tragjedive jetësore – duke trajtuar njëkohësisht edhe tema si ajo e dashurisë, e vdekjes dhe mbijetesës mbi një botë moderne krejtësisht të shkëputur.
Dashuri e verbër. Bisedë me Jean-Luc Godard
(Blinde Liebe. Gespräch mit Jean-Luc Godard)
RFGJ, Emision televiziv, 2001, 24min
Dashuri e verbër. Bisedë me Jean-Luc Godard
në thelb është një dialog magjepsës mes dy kineastëve kaq me ndikim botëror.
Biseda e tyre shtron pyetje komplekse mbi natyrën e kinemasë, të
rrëfimit dhe marrëdhënies ndërmjet imazhit dhe realitetit. Kjo bisedë zhytet
edhe në tema filozofike e politike, ku interesimi i përbashkët të autorëve
synon t`i sfidojnë format tradicionale të kinematografisë, si dhe kufijtë e
artit të filmit.
dctp – Projekti televiziv kulturor i Alexander Klugës
dctp (Development Company for Television Program), themeluar nga Kluge më 1987, është platforma me emisione televizive kulturore që drejtohet nga vetë autorët. Kjo platformë është një përgjigje ndaj dominimit të transmetimeve komerciale; synon të ofrojë një alternativë të larmishme krahas rrjeteve transmetuese televizive private në Gjermani. Projekti dctp ndërthur artin, kulturën, historinë dhe filozofinë me stil eksperimental rrëfimi. Këto programe përfshijnë intervista, imazhe arkivore dhe komentime me karakter reflektues; ato sfidojnë formatet televizive tradicionale, duke nxjerrë në pah një “sferë kontra-publike”, narrativa alternative; dhe duke ftuar në emisione zëra të papërfaqësuar. dctp kryesisht i fragmenton rrëfimet dhe eksploron temat si lufta, koha dhe emocionet njerëzore, shpesh të ndërthurura me histori personale dhe ngjarje historike. Përtej televizionit, dctp ndikon në teorinë e medias dhe ligjërimin publik, duke mishëruar vizionin e Kluges për median si një mjet për edukim dhe emancipim. Si gërshetim i artit dhe mendimit kritik, dctp mbetet një forcë rishtare të medias kulturore.
Filmat një-minutësh: janë copëza të shkurtra
kinematografike që përfaqësojnë qasjen e veçantë të krijimtarisë vizueale
të autorit. Ato zgjasin fare shkurt, kryesisht
një apo disa minuta që konsistojnë me zhanrin e tregimit; ato përmbajnë
pamje arkivore, intervista, animacion dhe material tekstor për të eksploruar
tema nga historia, kujtesa, politika dhe jeta njerëzore. Ky përdorim i formatit
të shkurtër që bën Kluge, mishëron angazhimin e tij për të eksperimentuar me
formën, brenda së cilës trajton aspekte filozofike dhe sociale.
Renditja e filmave 1-minutësh: Sausages from Halberstadt, Marrëveshjet e paqes janë aq të pabesa, Ai se dëgjon fare!, Sam remembers Papa Kong, Trekëndëshi vdekjeprurës, Banorët e Shangait buzë lumit Souzhou, Gruaja në fushëbetejë, Stuhi mbi Egjipt, Lajmi i hidhur, Çdo herë pas përmbysjes, Shikoni ju lutem drejt në kamerë
WORKSHOPET
Rreziku i “tëmbeturit të butë.” Kritika feministe e Alexander Kluge mbi blindimin
Punëtori me Daniel Gönitzer MA
07.02.2025, 10:00 – 12:30, Hani i Dy Robertëve, në gjuhën angleze
Sipas Alexander Kluge, nuk ka alegori më të mirë që shpjegon parimin thelbësor të Iluminizmit sesa imazhi i kërmillit të ndjeshëm nga Dialektika e Iluminizmit (Adorno/Horkheimer). Krahas përsiatjes së tij të hershme e të vazhdueshme mbi butësinë, ndjeshmërinë dhe kuriozitetin, puna e tij më e re (sikurse Kriegsfibel [Abetarja e Luftës]) gjithnjë e më shumë përfshin reflektime mbi fortësinë, mburojën dhe blindimin. Në këtë punëtori, do të trajtojmë perspektivat feministe në apelin e Kluge për butësinë dhe kritikën pasuese ndaj blindimit. Përveç veprave të Kluge, do të diskutohen edhe pasazhe nga Eva von Redecker, Klaus Theweleit dhe Theodor W. Adorno.
Daniel Gönitzer është asistent universitar në tfm | Departamenti i teatrit, filmit dhe studimeve mediatike në Universitetin e Vjenës. Ai ka përfunduar studimet për filozofi dhe letërsi gjermane në Grac dhe Vjenë. Doktoratura e tij trajton lidhjen e Walter Benjamin me avantgarde-n historike.
“Kopshte ndërtoj, rrënojave i besoj.” Alexander Kluge në kontekst
Punëtori me Prof. Dr. Rainer Stollmann
08.02.2025, 10:00 – 12:30, Hani i Dy Robertëve, në gjuhën angleze
Punëtoria do të thellohet në shtjellimet e Alexander Kluge mbi sferën publike dhe përvojën përmes leximeve ndërdisiplinare dhe diskutimeve. Pjesëmarrësit do të ndërveprojnë me tekste të përzgjedhura, duke përfshirë shkrimet e Kluge, fragmente nga “Dialektika e Iluminizmit” (Adorno/Horkheimer) dhe “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative” (Habermas). Përmes studimit të përbashkët dhe dialogut, punëtoria synon të shpalosë tematikat kyçe të Kluge mbi ndërtimin e “kopshteve” (hapësirat për reflektim dhe rritje) në mes të “rrënojave” të modernitetit, duke ofruar njohuri mbi qasjen e tij unike ndaj diskursit publik, historisë dhe kreativitetit.
Prof. Dr. Rainer Stollmann është profesor universitar i pensionuar i Teorisë Kulturore dhe Historisë Kulturore në Universitetin e Bremen. Pas studimeve për filologji dhe histori, ai ka doktoruar mbi letërsinë dhe fashizmin. Më pas ka bashkëthemeluar programin e Studimeve Kulturore në Bremen në vitin 1986. Në vitin 1995, Stollmann përfundoi habilitimin e tij më temën “Natyra dhe kultura e të qeshurit”.
Për të marrë pjesë në punëtori, ju lutemi kontaktoni: adrian.ramabaja@daad-lektorat.de